Austrian Airlines, linja e parë ajrore që fillon fluturimet nga Rinasi

Austrian Airlines është linja e parë ajrore, që ka njoftuar zyrtarisht fillimin e fluturimeve nga Rinasi drejt Vjenës dhe anasjelltas.

Austrian njofton se pas 90 ditësh ndërprerjeje të aktivitetit, do të fillojë fluturimet më 15 qershor në Amsterdam, Athinë, Bazel, Berlin, Bruksel, Bukuresht, Dubrovnik, Dyseldorf, Frankfurt, Gjenevë, Hamburg, Kopenhagen, Larnaca, Londër, Mynih, Paris, Prishtinë, Sarajevë, Shkup, Sofje, Stokholm, Shtutgart, Tel Aviv, Selanik, Tiranë, Varna dhe Zyrih.

Fluturimet do të jenë të reduktuara në krahasim me periudhën para pandemisë. Fillimisht do të ketë 4 fluturime në javë dhe më pas kompania ka njoftuar “Tirana International Airport”, se në korrik do të rishikohet frekuenca.

Sipas faqes zyrtare të Austrian, fluturimet janë të hënën, të mërkurën, të premten, të dielën. Në datën 15 qershor, kur është dhe fluturimi i parë, çmimi nga Tirana në Vjenë është 97 euro (nisja pasdite, ora 15:00), por në ditët në vijim ka dhe bileta me 57 euro një drejtim.

Lexoni: Kompania ajrore EasyJet shkurton vendet e punës dhe ul kapacitetin

Përpara shpërthimit të pandemisë, Austrian Airlines kishte fluturime të përditshme drejt Vjenës dy herë në ditë, në mëngjes herët dhe në drekë. Në vitin 2019, kompania kishte gjithsej rreth 6% të tregut të fluturimeve teksa ishte një nga linjat kryesore, që shërbente si tranzit në të gjithë botën.

Austrian Airlines ndërpreu fluturimet nga Tirana drejt Vjenës më 19 mars, pas shpërthimit të COVID-19. Më herët u ndërprenë edhe fluturimet drejt Italisë. Deri në fund të marsit, të gjithë operatorët pezulluan fluturimet për transportin e pasagjerëve, ku linja e fundit që u mbyll ishte Stambolli, me Air Albania.

Aktualisht nga Aeroporti i Rinasit bëhen vetëm fluturime për qëllime humanitare, tregtare, apo riatdhesimi. Nuk ka ende një datë se kur do të fillojnë fluturimet e tjera.

Wizz Air, i cili së fundi njoftoi shtimin e destinacioneve të reja nga Tirana ka njoftuar se fillon fluturimet nga 1 korriku.

Lexoni: Kompania ajrore Wizz Air krijon bazën e re të avionëve në Tiranë

Në vitin 2019 nga dhe drejt Aeroportit të Rinasit fluturuan rreth 3.3 milionë pasagjerë, duke arritur një nivel rekord. Gjysma e pasagjerëve kishin si destinacion kryesor Italinë.

Udhëtimet nuk do të jenë më si më parë

Sipas Austrian Airlines, rregullat e reja përfshijnë mbajtjen e një maske në bordin e avionit, si dhe në aeroportin e Vjenës.

Pasagjerët duhet të pajisen vetëm me maska, ashtu siç kërkohet kur përdorin mjetet e transportit. Gjithashtu pasagjerët duhet të kenë parasysh rregullat e karantinës të vendeve ku udhëtojnë.

Mund të ketë disa kufizime gjatë gjithë udhëtimit, si p.sh, kohë më e gjatë pritjeje në kontrollet e sigurisë në aeroport. Kur përzgjidhen ose u caktohen vendet, direktiva e përgjithshme është që pasagjerët, që nuk janë pjesë e një familjeje duhet të shpërndahen sa më larg njëri-tjetrit që të jetë e mundur. Gjithsesi, në rast se avioni do të jetë i mbushur në kapacitete të larta, asnjë pasagjeri nuk do t’i refuzohet një vend, në mënyrë që të lihen karrige bosh.

 

Burimi: businessmag.al

Nuk ka te dhena

Nuk ka te dhena

Komento

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *.
Komenti juaj do publikohet brënda 3 orëve , nëse përdorni fjalor ofendues, komenti nuk do të publikohet nga moderatori.

Featured

Recent Posts