Keni humbur nga ekspozitat në COD? Nuk patët kohë t’i vizitoni? Ju sjellim më afër me këtë tour-virtual 3D të ekspozitës “Një rrugëtim i vështirë – 20 vjet pas”.
Në 18 Prill 2019, Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) ne bashkepunim me Qendra Shqiptare për të Drejtat e Njeriut (QSHDNJ), hapi në ambientet e COD një ekspozitë drithërruese me titull “Një rrugëtim i vështirë – 20 vjet pas”. Ekspozita shfaqi 100 vizatime dhe vjersha të fëmijëve nga Kosova gjatë eksodit 1998-1999 në Shqipëri dhe u vizitua nga artistë, nxënës, studentë e dashamirës të artit. Në pjesën dërrmuese të skicave, shihet se vogëlushët kanë vizatuar shtëpi, duke përcjellë tek vëzhguesit dhimbjen dhe mallin për mëmëdheun.
“Kjo ekspozitë sot është dëshmi e kujtesës, e fëmijëve që i mbijetuan luftës, falë ndihmës së Qendrës Shqiptare për të Drejtat e Njeriut , e cila organizoi 36 shkolla verore argëtuese, ku mësues dhe ekspertë të edukimit u angazhuan për të rehabilituar fëmijët kosovarë”- u shpreh Eridana Çano, Drejtoresha e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje.
Dhuna dhe terrori serb detyroi mbi 600 mijë qytetarë nga Kosova të largohen nga trojet e tyre drejt Shqipërisë gjatë periudhës Qershor 1998 – Korrik 1999, e cila arriti pikën kulmore të dëbimeve në datën 16 Prill 1999. Qendra Shqiptare për të Drejtat e Njeriut (QSHDNJ) organizoi 36 shkolla verore argëtuese, ku mësues dhe ekspertë të edukimit u angazhuan për rehabilitimin e fëmijëve nga Kosova. Nga ky projekt përfituan rreth 40 mijë refugjatë në Tiranë e Durrës. Mikpritja dhe ngrohtësia vëllazërore e popullit shqiptar lehtësoi sadopak dhimbjen dhe traumën që ata po përjetonin.
Ekspozita erdhi për publikun si një dëshmi e kujtesës së fëmijëve që i mbijetuan luftës. Gjurmët e traumës psikologjike shprehen qartazi në shumë nga punimet e para të vogëlushëve; traumë e cila gradualisht u arrit të mposhtej duke u zëvendësuar me vizatime gjithmonë e më optimiste duke përkuar me një të ardhme në paqe dhe rikthim në shtëpitë e tyre në Kosovë.
“Kosova na mbledh sot në këtë ekspozitë për të na treguar dëshirën e jetës dhe fuqinë e mbijetesës edhe në eksodin më të rëndë të historisë së saj”- u shpreh Kozara Kati, drejtuese e Qendrës Shqiptare për të Drejtat e Njeriut. Ndërsa Feride Rushiti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës theksoi se “Kjo ekspozitë i kontribuon memories kolektive të Kosovës. Nuk mund të ndërtojmë të ardhmen tonë pa kujtuar të shkuarën”. Emocionuese ishte edhe pjesëmarrja në këtë ekspozitë e Merita Durakut, me dy vizatime të krijuara në moshën 14- vjeçare gjatë eksodit; “Ne mbijetuam falë shpresës që na dhatë të gjithë JU”- u shpreh e emocionuar ajo.
Në vizitën e tij, Lorik Cana i emocionuar u shpreh: “Fëmijët e eksodit të Kosovës të vitit 1999, tashmë jetojnë të lirë në trojet e tyre”.
Për të hapur turin online ju ftojmë të klikoni ketu.
Redaktuar nga: bulevardionline.com