Ikona shqiptare e shek. XVIII ekspozohet në UNESCO

“Ringjallja e Llazarit”, ikonë e shek. XVIII, qn mban firmën e një prej ikonografëve më të njohur, Kostandin Zografit, do të qëndrojë e ekspozuar përgjatë dy viteve, në ambientet e UNESCO-s, pranë zyrës së Drejtores së Përgjithshme, Audrey Azoulay. Në korridorin e gjatë, të mbushur me copëza trashëgimie kulturore nga e gjithë bota, tanimë ndodhet edhe një objekt i trashëgimisë kulturore shqiptare.

Sipas mbishkrimit që mban, ikona “Ngjallja e Llazarit” është realizuar në vitin 1770. Kjo ikonë dekoronte kishën “Burimi Jetëdhënës” në Korçë dhe paraqet një nga skenat më të njohura biblike, atë të ringjalljes së Llazarit nga Krishti. Ikona është punuar në një panel monolit prej arre, me përmasa 54,5 x 44 x 3,5 cm me tempera veze.

Kjo ikonë ishte pjesë e ekspozitës së një viti më parë, e hapur me rastin e 60-vjetorit të UNESCO-s, dhe pas mbylljes së saj, “Ringjallja e Llazarit”, së bashku me veprat e tjera të ekspozitës u rikthye në Shqipëri, pranë Muzeut Mesjetar të Korçës. Me Urdhër të Ministrit të Kulturës dhe mbi një kontratë 2-vjeçare me UNESCO-n, ky objekt udhëtoi drejt Parisit dhe do të qëndrojë i ekspozuar në ambientet e UNESCO-s.

Gjatë ceremonisë së ekspozimit, e cila u zhvillua në datën 20 Nëntor 2019, nën praninë edhe të të ftuarve nga komuniteti shqiptar në Paris, znj. Azoulay shprehu kënaqësinë, që “kjo vepër e jashtëzakonshme e ringjalljes dhe shpresës, ekspozohet në ambientet e UNESCO-s”.

“Krahas mesazhit të ringjalljes, kjo ikonë mbart edhe një tjetër mesazh. Zografi ka qenë një mjeshtër i ngjyrës, i kontrasteve të forta dhe pavarësisht se bëhet fjalë për një skenë biblike, autori ka përdorur edhe motive lokale. Kjo është arsyeja pse edhe është zgjedhur”, u shpreh Ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Në një takim shumë të përzemërt, Azoulay shprehu interesin për të mësuar më shumë mbi Shqipërinë. Ministrja Margariti e vuri në dijeni për nismat, që po ndërmerr qeveria shqiptare për mbrojtjen dhe konservimin e trashëgimisë kulturore materiale dhe shpirtërore; në nxitjen dhe sensibilizimin për përcjelljen e traditave më të mira në punimet artizanale; për programin “100 fshatrat”, që synon përfshirjen e komuniteteve lokale në zhvillimin e këtyre qendrave etj.

Në veçanti znj. Azoulay tregoi interes për ngritjen e Muzeut të Hebrenjve, në Vlorë dhe të Qendrës Kulturore Hebreje, në Tiranë. Ajo u shpreh se historia e shpëtimit të hebrenjve nga nazistët, gjatë Luftës së Dytë Botërore, duhet të bëhet sa më shumë e njohur në të gjithë botën. Drejtorja e Përgjithshme e UNESCO-s shprehu dëshirën për të vizituar Shqipërinë.

Burimi: Ministria e Kulturës

Nuk ka te dhena

Nuk ka te dhena

Komento

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *.
Komenti juaj do publikohet brënda 3 orëve , nëse përdorni fjalor ofendues, komenti nuk do të publikohet nga moderatori.

Featured

Recent Posts