Liqenet e Kacnisë, një oaz në majë të malit mes Dibrës dhe Matit

Liqenet e Kacnisë ndodhen në majë të një kreshte, ngjeshur në rrafshnaltën e malit Balgjajt që gjysmën e ka në territorin e Dibrës dhe shpatin perëndimor në Mat.

Një destinacion i pashfrytëzuar turistik, pak i njohur, por që është pikasur nga turistë të huaj dhe ka ngjallur mjaft kureshtje nga turistët vendas.

Kacnia është një zonë e përfshirë në trevën e Katër Grykëve që i përket pjesës lindore të krahinës. Ngjitet në një rrugë mes grykash me një pasuri të rrallë natyrore.

Bimësia e dendur nga shkurret, lisi, ahu dhe pisha janë manteli që i vishet malit dhe në majë, oaze liqenesh që pasqyrojnë malin të kthyer përmbys si një tablo sureale.

Ky është i vetmi itinerar që të mundëson peizazhin e mrekullueshëm malor jo vetëm të 7-të liqeneve të Lurës, Kacnisë, por edhe të Balgjait.

Liqenet e Kacnisë, ndodhen në shpatin lindor të malit të Balgjajt ose njohur si mali i Allamanit që kufizohet me Matin, në jugperëndim të fshatit Kacni, prej nga kanë marrë emrin, të rrethit të Dibrës, në lartësinë mbi 1700 m.

Janë të vendosura në disa cirqe të mëdhenj komplekse akullnajore. Përbëjnë liqene akullnajore. Janë të gjatë mesatarisht 50-100 m dhe të gjerë 20-35 m.

Sipërfaqja e tyre veçmas arrin në disa ha. Kanë thellësi mbi 5 – 6 m. Kanë ujë të pastër si kristali dhe të ftohtë. Gjatë dimrit ngrijnë në sipërfaqe. Janë të pasur me një botë të gjallë dhe formojnë një ekosistem interesant të liqeneve alpine.

Pyjet e halorëve përreth e zbukurojnë jashtëzakonisht peizazhin natyror përreth tyre. Kanë vlera shkencore (gjeologjike, gjeomorfologjike, hidrologjike, biologjike), estetike, didaktike, ekologjike dhe kulturore.

Vizitohen duke ndjekur intinerarin; Bulqizë – Peshkopi – Maqellarë – Kacni – liqenet.

Liqeni jep mundësi të jashtëzakonshme për mbajtjen e garave sportive në ujërat e qeta. Interesim të madh paraqet shfrytëzimi i plazheve gjatë periudhës së verës nga ana e banorëve dhe e mysafirëve.

Për të shkuar për tek liqenet e Balgjait mund të shfrytëzohen rrugët nga Selishta në Dibër, Vajkal dhe Kokërdhak në Bulqizë dhe nga fshatrat e Klosit nga ana e Matit.

Ruga e Arbrit do ta sjellë këtë oaz natyror fshehur mes malesh me afër kureshtarëve, turistëve vendas dhe të huaj duke e bërë atë një destinacion unik për turizëm.

Jo vetëm Lura ka të drejtë të krekoset me bukuritë e rralla, por Kacnia mund të dalë në pah me bukurinë e liqeneve të saj.

Liqenet e Dibrës kanë joshur turistë prej kohësh, por mbi të gjitha të pasionuarit e ngjitjeve malore, të apasionuarit e natyrës, bimësisë dhe pasurive të kësaj krahine.

/ATA

Nuk ka te dhena

Komento

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *.
Komenti juaj do publikohet brënda 3 orëve , nëse përdorni fjalor ofendues, komenti nuk do të publikohet nga moderatori.