Filmi “Delegacioni”, amaneti i plotësuar i Artan Minarollit!

ALMA MILE/ Ai është shoku Spiro, një zyrtar me peshë në Ministrinë e Brendshme, të cilit i është dhënë një mision i veçantë nga Byroja, të shoqërojë në Tiranë një të burgosur.

 

Ndriçim Xhepës, që gjithnjë i janë besuar role jokonformiste, iu desh që kësaj here të vishte kostumin e një burokrati të viteve të diktaturës. Sapo është kthyer nga Varshava, ku filmi ku ai interpreton, “Delegacioni”, u shpall filmi më i mirë i festivalit. Vetëm pak orë pas shpalljes së çmimit, aktori Ndriçim Xhepa ndan përshtypjet nga festivali, por edhe xhirimet e filmit, nisur vite më parë nga regjisori dhe miku i tij, Artan Minarolli dhe përfunduar nga regjisori Bujar Alimani. Një amanet i çuar deri në fund…

Sapo jeni kthyer nga Varshava me filmin “Delegacion” dhe morët lajmin e mirë se konkurrenti shqiptar është shpallur si filmi më i mirë në këtë aktivitet… Sa i rëndësishëm është ky festival, për të kuptuar edhe rëndësinë e çmimit…?

Do ta quaja një moment i rëndësishëm për kinematografinë shqiptare. Festivali i Varshavës është një festival i kategorisë A, i kthyer në traditë tashmë. Ky ishte edicioni i 34-t dhe në garë numëroheshin 15 prodhime kinematografike nga 15 shtete të ndryshme, të përzgjedhura, sigurisht nga një numër shumë herë më i madh filmash. Në këtë garë ishte filmi polak, ai belgohollandez, shqiptar, turk, meksikan, kinez, koreano jugor, bullgar, bashkëprodhimi rumuno-francez, francez, filipinas, argjentino-italian, rus, kolumbiano-argjentinas dhe në fund filmi izraelit. Pra, siç mund ta shihni, bëhet falë për një gjeografi shumë të gjerë dhe një mori tematikash, mbështetur kryesisht në problematikat bashkëkohore të vendeve përkatëse.

Nga vetë çmimi kuptohet vlerësimi nga ana e jurisë, por cila ishte pritja e publikut, pasi jo gjithnjë ndodh që mendimi i këtyre të dyjave të puqen?

Më ka impresionuar numri i madh i anëtarëve të jurisë. Ishin plot 17, nga vende të ndryshme të botës, që tregon edhe seriozitetin në përzgjedhjen e çmimeve. I gjithë grupi ynë qëndroi në Varshavë përgjatë tri ditëve që u shfaq filmi. Interesi ishte i madh dhe nga dita në ditë shihnim se si salla mbushej plot. Interesi u tregua edhe gjatë bashkëbisedimit me gazetarë dhe publikun. Pyetjet ishin të shumta, sidomos për regjisorin dhe një nga pyetjet që bëhej më shpesh ishte në lidhje me diktaturën komuniste në Shqipëri dhe nëse brezi i ri ishte i interesuar të dinte më shumë për këtë periudhë. Sigurisht, që na u desh t’u shpjegonim se komunizmi shqiptar ka qenë specifik dhe ndër më të egrit në Europën Lindore. Krahasuar edhe me atë të kaluar në Poloni, ka qenë edhe më i ashpër e agresiv..

A përbënte kuriozitet fakti që projekti ishte nisur nga një tjetër regjisor, që është ndarë nga jeta, Artan Minarolli dhe u përfundua nga një tjetër, Bujar Alimani?

Pa dyshim që na u desh ta tregonim këtë pjesë të historikut të filmit, se si skenari ishte shkruar nga regjisori Artan Minarolli, i cili fatkeqësisht u nda nga jeta pak javë pasi projekti kishte fituar dhe se ishte producentja e këtij filmi, Mira Turkeshi Gramo dhe bashkëshortja e regjisorit, Etleva Minarolli, që ngulën këmbë dhe dëshironin që ky projekt, që Artan Minarolli e la në letër, të materializohej. Dhe u gjet gjuha e përbashkët që ai të realizohej nga regjisori Bujar Alimani, i cili, siç e ka shprehur edhe vetë, me shumë dëshirë dhe seriozitet e çoi deri në fund si një amanet. Ashtu siç ndihem mirë që producentja dhe bashkëshortja e Minarollit nuk hoqën dorë nga ky projekt, për shkak të asaj lidhjeje shpirtërore që ato kanë me të, po aq sa më vjen mirë që Qendra Kombëtare Kinematografike pranoi që projekti i Minarollit të ndiqej e vazhdohej nga Alimani, i cili e çoi deri në fund, duke sjellë edhe këtë rezultat, duke u shpallur edhe filmi më i mirë në një festival me vazhdimësi 34-vjeçare, si ai i Varshavës.

Si ishte puna me Alimanin?

Ishte hera e parë që punoja me Bujar Alimanin dhe mund të them se krijuam një raport regjisor-aktor shumë të respektueshëm, mirëkuptues e bashkëpunues. Edhe për të ishte hera e parë që punonte me tre aktorë me një karrierë të gjatë. Ne, treshja e aktorëve kryesorë, Viktor Zhusti, Xhevdet Ferri dhe unë, së bashku me regjisorin bisedonim me orë të tëra, çdo mbrëmje, para xhirimeve, episod pas episodi. Dhe, duke qenë në brendësi të këtij projekti që në kohën kur ai u shkrua e më pas gjatë zhvillimit dhe xhirimeve të tij, mund të them se Alimani ka ndjekur në mënyrë skrupuloze atë strukturë dhe simbolikë që Minarolli kishte zgjedhur për këtë film. Ai ndoqi një linjë sinqeriteti në rrëfimin e ngjarjeve. Dhe ishte ky fill realist i sinqertë që lidhte filmin episod pas episodi, deri në finalizim, që tërhoqi vëmendjen e jurisë dhe u vu në dukje prej tyre.

“Delegacioni” tregon një histori diktature, cili aspekt është përzgjedhur nga ajo periudhë e gjatë dhe e dhimbshme për shqiptarët?

Është një histori që tregon absurditetin dhe mizorinë e asaj kohe. Një përfaqësues i Parlamentit Europian, i cili vjen në Shqipëri për të nisur tratativat e para të hapjes së Shqipërisë në vitet ’90, shpreh dëshirën për të takuar një ish-shokun e vet student, me të cilin kishin kryer studimet në Pragë. Por siç ndodhte rëndom asokohe, ky njeri i shkolluar (interpretuar nga Viktor Zhusti) ishte burgosur nga regjimi e tashmë duhej të sillej me urgjencë në Tiranë, që të takonte diplomatin e huaj. Për ta shoqëruar me një ARO drejt Tiranës ishte caktuar një drejtor i Ministrisë së Brendshme, shoku Spiro (Ndriçim Xhepa) dhe një polic halldup, i palatuar, me histori dhune (Xhevdet Feri). E gjithë drama zhvillohet gjatë kësaj hapësire kohore, mes këtyre tre personazheve. Fati i Leos është tragjik, ai vritet nga polici dhe nuk mbërrin kurrë në Tiranë të takojë ishshokun e tij student. Dhe pushtetit diktatorial i duhet të gënjejë sërish, duke shpikur një arsye për mungesën e tij dhe ashtu si e ndërtoi atë farsë; ashtu si mobiloi dhe lustroi shtëpinë që priste atë në kthim, ashtu e zhveshën dhe mobiliet i ngarkuan në një kamion, për t’i rikthyer në magazinë.

Nëse me Ferin keni luajtur edhe herë tjetër, me Zhustin ishte hera e parë. Si ishte ky bashkëpunim dhe si e patë këtë rikthim të tij në film?

Ishte hera e parë që punoja me Viktor Zhustin. Në morinë e roleve që ka realizuar ai, do të veçoja një të rinisë së tij, atë të Jahos, në filmin “Malet me blerim mbuluar”. Mendoj se roli i Leos është një tjetër pikë kulmore ndër figurat e realizuara nga Zhusti. Ndërsa miku dhe kolegu im, Xhevdet feri ka një rol tërësisht të ndryshëm nga të gjithë ata që numëron në krijimtarinë e tij. Ai luan rolin e një polici burgjesh që i ka lyer duart me gjak. Ai arrin ta vrasë leon, pikësrisht atëherë kur ai i kujton këto histori dhune, por i përmend edhe të bijën, e cila ëhstë larguar nga Shqipëria, nga ai vend dhe sistem, që ai përpiqet ta mbrojë në mënyrë absurde.

Personalisht, si e përjetuat këtë rol?

Ky çmim është një përmbushje e veçantë për mua. Jam i kënaqur të luaj një rol të tillë në skenarin e fundit të mikut tim të fëmijërisë, Artan Minarolli. Jemi rritur në një shkallë bashkë, kemi bërë shkollën, Akademinë e Arteve dhe është një kënaqësi e veçantë të kem një takim shpirtëror me të, në këtë vepër të tij të fundit. Aq më tepër që u shpall dhe një film fitues, që tani e ka rrugën e hapur drejt festivaleve të tjera.

Në një film, pjesën e luanit e kanë gjithnjë aktorët kryesorë, por ka edhe karaktere të tjera që i japin jetë një drame, çfarë do të veçonit?

Po, do të veçoja dhe një mori karakteresh dytësore, që i jepnin ngjyra filmit dhe hynin e dilnin në atë udhëtimin tonë drejt Tiranës. Do të përmendja Rovena Lulen në rolin e një kryetareje kooperative, e cila kishte hyrë mirë në lëkurën e një krijese të asaj kohe, të një personazhi skematik, krejt ndryshe nga ç’është ajo vet si artiste. Po ashtu, na shoqëron gjatë gjithë kohës së udhëtimit shoferi, që interpretohet nga Kasem Hoxha. Po ashtu, Bislim Muça me të birin që shfaqen gjatë rrugës për të rregulluar makinën. I sjellin freski gjithë atij dramaciteti dy mësueset e fshatit të interpretuara nga Mirela Naska e aktorja kosovare, Fatlume Bunjaku. I padukshëm, por shumë i rëndësishëm, do doja të përmendja drejtorin e fotografisë Ilias Adamis, për komunikimin, qepjen e punës me regjisorin dhe finesën dhe elegancën që ka treguar në gjithë realizimin e filmit.

By: panorama.com

Nuk ka te dhena

Komento

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *.
Komenti juaj do publikohet brënda 3 orëve , nëse përdorni fjalor ofendues, komenti nuk do të publikohet nga moderatori.