Kjo eksperiencë është e përshtatshme për persona në formë të mire fizike dhe që kanë kalëruar disa herë më pare. Ritmi i lëvizjes është i ulët dhe mesatar por terreni ka thyerje të forta.
Programi:
Rrugëtimi përshkon një masiv të vogël halor pishash me thyerje të forta në ngjitje dhe në zbritje – kjo është një prej segmenteve vecanërisht të bukura të këtij turi. Ne periferi të fshatit Krinë do të fillojmë ngjitjen drejt Gjinofshatit, një territor lëndinash të lulëzuara me bukuri të rrallë. Dikur Gjinofshati ishte një parajsë e pemëtarisë, mbushur me pemë frutore që nga qershitë, dardhët, fiqtë, ftonjtë, mollët, arrët, shegët, kumbullat, etj; ndërsa sot kanë mbetur vetëm një pjesë e vogël e tyre. Në të shkuarën e tij mesjetare territori ishte ciflig, në pronësi të bejlerëve nga Gjirokastra. Gjurmët e banesave të fshatavëve të punësuar për t’a mirëmbajtur këtë pronë janë të dukshme ende sot. Sot zona administrohet prej fshatit Krinë, kryesisht si kullotë për bagëtitë e imëta dhe lopët. Në të shkuarën e tij antike, Gjinofshati përkon me hapësirën rurale që rrethonte qytetin antik të Antigonesë, i ndërtuar në vitin 295 p.k prej Pirros së Epirit. Gjurmë të fshatit epirot dhe aktivitetit bujqësor janë gjetur në këtë zonë prej gërmimeve të rastësishme. Gjithsesi studime të thelluara rreth shtrirjes, popullsisë dhe rëndësisë së tij ende mungojnë.
Me mbërritjen në Gjinofshat do të realizohet një pushim i shkurtër për fotografi, do shpjegohet rreth historisë antike dhe moderne, bimësisë së pasur dhe rolit të saj në jetën e banorëve. Ky është një moment kur mund të ndiheni krenarë për pjesën e parë të udhëtimit me kalë sepse pjesa më e vështirë do kete kaluar.
Kthimi pas për në qendrën e kuajve nis me zbritjen graduale drejt përroit të Krinës që gjendet nën nivelin e rrugës kryesore dhe më pas fillojmë sërisht ngjitjen. Në cdo stinë të vitit pejsazhi në kthim ka bukuri të rrallë. E vetmja gjë që ndryshon janë ngjyrat. Kalojmë sërish kreshtën e kodrave mbi rrugën kryesore që përshkon Antigonenë dhe mbërrijmë tek qendra e kuajve nga i njëjti drejtim që u nisëm. Këtu vjen edhe fundi i udhetimit.
Për detaje & rezervime: horeseridingalbania.com