Veshjet e gruas arbëreshe shndërrojnë muzeun në “shtëpi kukullash”

Një nga ekspozitat në Muzeun Historik Kombëtar, është “Shpirti arbëresh në veshje”. Simbol i saj, veshja origjinale e Shën Benediktit. Pasqyrohen shtatë shpërnguljet e shqiptarëve drejt Italisë së Jugut në epoka të ndryshme. Si risi përmendet grafika moderne dhe informacioni i pasur historik

Anila Dedaj

E lanë atdheun ‘si ëndërzë’ dhe u shpërngulën në trojet e Italisë së Jugut shqiptarët, duke e mbajtur vështrimin e shpirtin matanë detit. Ajo dashuri e madhe që shtatë shpërngulje e kthyen në dhimbje e mall, për shumë personalitete të letrave do të kthehej në vepra.  “Ushtarë, m’hapni shtatoren/që të shoh edhe një herë/Shkodrën dhe time motër/te dritarja përkundruall”, do të shkruante Jeronim De Rada i nxitur nga dëshira për të parë “Lulet që valvit era”, atje në mëmëdheun e tij. Shpirtin shqiptar, arbëreshët e ruajtën në gjuhë, kulturë e zakone duke sfiduar largësinë dhe kohën. U ruajt gjithashtu “Shpirti arbëresh në veshje” ndaj, në një kohë që ata matanë detit kujtojnë me mjetet e tyre artistike Vitin Mbarëkombëtar të Skënderbeut, Muzeu Historik Kombëtar rrëfen përmes kostumografisë për ta, si pjesë e jona. Një hartë shpërnguljeje, veshja origjinale e Shën Benediktit, një prej katundeve të krijuar nga komuniteti arbëresh, si dhe kukullat me veshje të zonave të ndryshme të dhuruara nga studiuesja italiane Licia Conti. Risia? Sipas Ledio Xhoxhit, përgjegjës për menaxhimin e koleksioneve është forma e re në të cilën janë sjellë. “Vijnë në një grafik moderne, në një informacion të pasur historik me një studim kërkimor shkencor dhe kemi dhe veshjen origjinale që është simbol i ekspozitës sonë”. Gjatë çeljes së ekspozitës pati ndër të tjerë, vizitorë të huaj, turistë italianë, të cilët arrinin të identifikonin në grafika disa nga vendet e Italisë së Jugut, duke gjetur kështu në artin e kostumografisë arbëreshe ura lidhëse midis dy vendeve fqinjë.

Dorian Koçi: “Veshjet, si shpirti i një kombi me identitet të veçantë”

Drejtori i Muzeut Historik kombëtar u shpreh se dëshira për të hapur ekspozitën “Shpirti arbëresh në veshje”, prkon me sezonin turistik që mund të afronte edhe vizitorë të huaj, veçanërisht ata italianë. “Në kuadër të vitit mbarëkombëtar të Skënderbeut, Muze Historik Kombëtar çel këtë ekspozitë. Veshjet e paraqitura përfshijnë historinë e arbëreshëve, duke përshkruar shpirtin e një populli që ka identitetin e vetë të veçantë kulturor.

Kjo ekspozitë pasqyron shpirtin arbëresh, i cili dëshmon përkatësinë e vet etnike. Kjo ekspozitë nxit dhe shtyn në gjurmime të tjera etnografike mbi bashkësinë arbëreshe, origjinën e veshjeve, modifikimet që kanë ndodhur. Katundet arbëreshe në Itali filluan të prodhoheshin në shekullin XV, dhe formimi i tyre u plotësua deri në shekullin e XVIII.

Kolonitë arbëreshe mbërritën në Itali në valë të ndryshme duke shpënë atje bashkë me gjuhën dhe kostumet edhe traditat kulturore, në kohën e tyre të mërgimit. Këtë pasuri shpirtërore arbëreshët e kanë ruajtur gjithmonë me këmbëngulje deri në ditët e sotme.

Bashkë me emrin e tyre të vjetër etnik që e morën nga mëmëdheu, ruajtën dhe kultin e heroit kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut. Këto grupe të popullsisë arbëreshe nuk u shkrinë drejtëpërsëdrejtë me popullsinë vendase, por ruajtën dhe lartësuan identitetin etnik origjinal, që ka ardhur përtej shekujve në forma të shumëllojshme, duke shprehur jetën e përditshme në shprehjet artistike, traditat gojore dhe letrare”. Koçi shpjegoi më tej se ekspozita pasqyron shtatë shpërnguljet e shqiptarëve, sipas periudhave të caktuara, duke filluar që me shpërnguljen e parë gjatë viteve 1416 -1448 dhe deri në shpërnguljet e fundit nga viti 1647 e deri në 1664-ën. “Kostumet etnografike janë simbol i elementit shoqëror, ato bashkojnë dhe i barazojnë njerëzit me njëri-tjetrin. Kukullat, modele në miniaturë, dëshmojnë tërë pasurinë e kulturës arbëreshe, të skematizuar dhe të thjeshtëzuar në përpunimin e tyre. Ato i afrojnë etnologut një fushë hulumtimi mbi veshjen e lashtë të arbëreshëve. Veshja e gruas ka paraqitur në historinë e popullit tonë një element të krenarisë gjatë momenteve më të errëta të saj. Funksioni që mbartin këto kostume janë të ndryshme dhe tregojnë rendin shoqëror, moshën, klasën, punën, besimin fetar, si dhe nëse një person është beqar apo i martuar. Kukullat me veshjet arbëreshe sjellin një imazh të vëllazërimit të dy popujve, brigjet e të cilëve, lagen nga i njëjti det. Po kështu, një pjesë tjetër e rëndësishme e ekspozitës është pasqyrimi i hartës së shpërnguljes së arbëreshëve, si dhe largimi i disa personaliteteve të rëndësishëm, që kanë lënë gjurmë të thella në historinë e Shqipërisë dhe atë të Italisë. Kam parasysh këtu Francesco Crispi-n, një nga kryeministrat e Italisë, i cili në projektet e tij shikonte dhe përfshinte edhe çështjen shqiptare”. Ndër personalitetet arbëreshë ai përmendi edhe Jeronim De Radën, si  një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të zgjimit tonë kombëtar.

Koçi foli gjithashtu për Zef Skiroin, i cili u largua nga Shqipëria dhe u mbajt larg nga historia e letërsisë shqipe dhe historia e përgjithshme e Shqipërisë deri në vitin 1990. “Po kështu kemi disa objekte origjinale, siç është pena e Jeronim De Radës që ndodhet në Muzeun Historik Kombëtar. Është ajo penë që ka shkruar veprat kryesore të De Radës, për të cilën ne jemi sot krenar, duke filluar që nga “Këngët e Milosaos”, “Skënderbeu i pafan” etj. Ka gjithashtu disa libra të veçantë, të cilët janë bërë dhuratë nga komuniteti arbëresh, i cili ka ardhur dhe ka vizituar në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar për Gjergj Kastriot Skënderbeun shumë herë Muzeun Historik Kombëtar”. “Muzeu shtëpia e tyre” Koçi gjatë ekspozitës i bëri thirrje komunitetit arbëresh që ka objekte të një rëndësie të veçantë t’i sillnin në Muze si “shtëpia” që ruan vlerat. “Muzeu Historik Kombëtar është në fakt shtëpia e tyre, shtëpia më e madhe kombëtare e shqiptarëve, ku vlerat që ata përfaqësojnë do të jenë vlera përfaqësuese edhe për vetë kombin shqiptar. Kështu që sigurisht që ne mirëpresim donacione dhe gjëra të rëndësishme, harta topografi, libra të vjetër, botime, objekte personale të personazheve të njohur të historisë së kulturës arbëreshe dhe të historisë së Shqipërisë në një mënyrë të tillë që ta plotësojnë këtë hartë shumë të rëndësishme të Diasporës shqiptare. Siç dihet prej shumë kohësh institucionet shqiptare në bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës po përpiqen të realizojnë një hartë të gjithë Diasporës shqiptare kudo që është në botë, për veçantitë dhe kontributet e saj të pafundme, me jetën publike të vendeve ku ata kanë jetuar”.
www.shekulli.com.al

Nuk ka te dhena

Komento

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *.
Komenti juaj do publikohet brënda 3 orëve , nëse përdorni fjalor ofendues, komenti nuk do të publikohet nga moderatori.

Featured

Recent Posts